Zgjedhjet presidenciale, vijojnë afatet dhe përgatitjet

Zgjedhjet presidenciale, vijojnë afatet dhe përgatitjet

Në Maqedoninë e Veriut po vijojnë afatet dhe përgatitjet për zgjedhjet presidenciale, që do të zhvillohen më 21 prill.

Deri më 9 mars kandidatët për president mund të mbledhin firmat e qytetarëve për të garuar në këto zgjedhje. Deri në ditën e fundit të muajit të kaluar, në Komisionin Shtetëror Zgjedhor janë paraqitur pesë kandidatë, prej të cilëve Gordana Siljanovska-Dafkova nga radhët e VMRO DPMNE-së ka siguruar këtë status, ndërsa kandidatët e tjerë akoma janë në fazën e grumbullimit të nënshkrimeve.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate Maqedonase (SDSM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot pritet të shpallin kandidatin e përbashkët për president, ku ndër emrat që flitet janë ministri i jashtëm Nikola Dimitrov, koordinatori për në NATO Stevo Pendarovski, ministri i brendshëm Oliver Spasovski dhe ministrja e mbrojtjes Radmila Sekerinska.

Në këto zgjedhje do të garojë edhe një kandidat shqiptar, profesori universitar Blerim Reka, që do të ketë mbështetjen e opozitës shqiptare.

Kryetari i KSHZ, Oliver Derkoski theksoi se deri më 9 mars kandidatët do të kenë afat për grumbullimin e firmave që duhet të jenë mbi 10 mijë.

“Në këto zgjedhje për herë të parë fushata mediatike do të paguhet nga buxheti i shtetit. KSHZ do të mbikëqyrë fushatën edhe për 68 ueb portalet, të cilave u kanë dhënë akreditim për këtë proces zgjedhor”, theksoi Derkoski. Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen më 21 prill, ndërsa në rast do të ketë raund të dytë, ai do të zhvillohet më 5 maj. Sipas listës votuese të drejtë vote kanë mbi 1.8 milionë banorë. /IBNA