Zgjedhjet presidenciale, OBSE shpalos planin e monitorimit, opozita ka dilemma për zgjedhje fer dhe demokratike

Zgjedhjet presidenciale, OBSE shpalos planin e monitorimit, opozita ka dilemma për zgjedhje fer dhe demokratike

Më 21 prill do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale, ndërsa në rast se do të ketë raund të dytë, atëherë do të zhvillohet më 5 maj.  Opozita ka shprehur mëdyshje se këto zgjedhje do të jenë fer dhe demokratike.

“Nuk jemi të sigurt nëse qeveria ka siguruar kushte optimale për zhvillimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, por shpresojmë që ditëve në vijim qeveria të përmirësoj dobësitë e treguara”, theksoi lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Opozita maqedonase nuk përjashton bojkotimin e raundi të dytë të zgjedhjeve nëse do të ketë parregullësi.

Por kryeministri Zoran Zaev tha se Qeveria ka kapacitet për të organizuar zgjedhje korrekte.

“Besoj se të gjithë aktorët politikë, të gjithë ata që janë përgjegjës për pjesën e tyre, do të kontribuojnë që të kemi zgjedhje të shkëlqyeshme, kristale të pastërta, sepse nuk duam tu japim ndonjë argument miqve të vendeve anëtare të BE-së që të njohin ndonjë dobësi tek ne”, theksoi Zaev.

OSBE/ODIHR do t’i mbulojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale me gjithsej 279 vëzhgues.

“Nuk jemi të interesuar për rezultatin, por me cilësinë e procesit zgjedhor dhe çdo votues, të votojë lirshëm dhe në mënyrë transparente”, theksoi shefi i misionit vëzhgues, Korin Jonker.

Sipas tij, procesi i monitorimit perfshin ndjekjen e administrimit te zgjedhjeve, fushatat e kandidatëve dhe financimin e tyre. Edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve theksoi se ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e 21 prillit.

Në garën zgjedhore janë tre kandidatë: Stevo Pendarovski nga koalicioni i partive në pushtet, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita shqiptare. /IBNA