Vendi në ngërç politik, shteti nis punën për zgjedhjet lokale

Vendi në ngërç politik, shteti  nis punën për zgjedhjet lokale

Megjithë situatën e rënduar mes dy kampeve kryesore vend, institucionet po fillojnë të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për procesin elektoral të 30 qershorit

Ngërçi politik që ka mbërthyer vendin prej disa javësh, duket se nuk i ka ndalur aspak institucionet që të nisin punën e tyre mbi procesin elektoral të 30 qershorit. Fjala është për zgjedhjet vendore, ndaj të cilave tashmë ka nisur puna për përgatitjen e infrastrukturës së tyre. Kështu, hapi i parë ka qenë ai i hapjes së një tenderi të posaçëm prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për prodhimin e dhomave të fshehta dhe kutive kartoni që do shërbejnë për votimet e 30 qershorit. Gjithashtu, KQZ-ja ka miratuar dje edhe regjistrimin e katër partive politike për zgjedhjet lokale.

Ato janë “Partia Uniteti Kombëtar”, “Partia Socialiste e Moderuar”, “Partia Emigracioni Shqiptar”, si edhe “Partia Kombëtare Konservatore Albania”. Nga ana tjetër, po dje, ministri i Brendshëm, zhvilloi një takim të posaçëm për të diskutuar mbi çështjen e listave të zgjedhësve. Edhe ky, një element kyç për proceset elektorale në vend, të cilat jo rrallë janë vënë në qendër të vëmendjes dhe debateve politike. Lleshaj tha se detyrë e gjendjes civile është verifikimi në terren i personave me moshë mbi 100 vjeç, të cilët sipas tij, kalojnë mbi 1 mijë persona të regjistruar në lista.

Sipas tij, mund të ketë pasaktësi ndaj edhe duhet verifikimi në terren. Po ashtu, ai kërkoi nga bashkitë që afishimi i listave të zgjedhësve të bëhet në vende lehtësisht të aksesueshme për qytetarët.

INTEGRIMI

Përgatitje jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe për negociatat

Në muajin qershor të këtij viti, Shqipëria nuk do të përballet vetëm me një proces elektoral, por edhe me sfidën e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Prandaj, zyrtarët e lartë të shtetit përveç punës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duket se kanë nisur punën lobuese edhe për këtë të fundit. Kështu, dje u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit, i cili mori në diskutim pikërisht punën që duhet të bëjnë institucionet që vendi t’i hapë patjetër këto negociata. Nga ana e tij, ministri i deleguar nga Rama, për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, tha se në aspektin teknik kriteret janë plotësuar. “Duhet jo vetëm dialog politik i brendshëm për situatën e polarizuar, por edhe lobim me qeveritë dhe institucionet e vendeve anëtare të BE-së. Objektivi kombëtar i integrimit europian shkon përtej përgjegjësive ekskluzive të qeverisë. Prandaj ai kërkon përfshirje të gjerë shoqërore në tejkalim të dallimeve politike”, theksoi ai. Duke shtuar se tashmë jemi në një moment kyç. “Tashmë kemi vetëm 3 muaj në dispozicion deri tek hapja e mundshme e negociatave për anëtarësimin në BE, prandaj duhet të koordinojmë përpjekjet për atë që mund të bëjmë”, nënvizoi ai. Ndërsa i pyetur për nivelin e vendeve skeptike, kryediplomati në detyrë, Gent Cakaj tha se gjendja ishte më e mirë se një vit më parë.