Të ndërtosh në Shqipëri, aktivitet që sa po vjen edhe po shtrenjtohet

Të ndërtosh në Shqipëri, aktivitet  që sa po vjen edhe po shtrenjtohet

Të ndërtosh në Shqipëri, sa vjen dhe shtrenjtohet me kalimin e kohës. Duke e kthyer ndërtimin në një aktivitet me kosto gjithmonë e më të lartë. Kjo dukuri konfirmohet edhe nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave. Sipas tyre, indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar u rrit me nivelin prej 1%, krahasuar me një vit më parë. “Kostot e tjera u rritën me 3.3%, pasuar nga “Shpenzime transporti” me 1.9% dhe “Shpenzime për paga” me 1.1%”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Duke pranuar në këtë mënyrë se për ndërtuesit tani kushton më shumë realizimi i një banese të re, nga disa kohë më parë. Kjo pasi, ata duhet të paguajnë më shumë punëtorët e tyre, por edhe për transportin. Ndërsa bie në sy edhe fakti tjetër se materialet me të cilat ndërtohet nuk është se kanë pësuar rritje, madje janë ulur. “Ka shënuar rënie grupi “Shpenzime materiale” me nivelin prej 0.5%”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it.

E megjithë këto rritje të kostos së ndërtimit, duket se ky aktivitet nuk e ka ndalur aspak “hovin” e tij, sidomos këto dy vitet e fundit. Kjo pasi është shënuar një rritje e lartë e lejeve të ndërtimit, për të realizuar banesa të reja në rang vendi, sidomos në zonën e Tiranës. Gjë që tregon se edhe pse kostoja e ndërtimit po shtohet, sipërmarrësit nuk po e ndalin ritmin e punimeve. Kjo falë një kërkese të shtuar për ndërtesa të reja, që mesa duket vazhdon të jetë ende e pranishme në vendin tonë.

 

Kërkesë ende e lartë për ndërtesa, BSH: Ka shtuar shitjet e sektorit

Ndërsa tregu është përfshirë në një valë ndërtimesh të reja, sidomos në Tiranë, mund të thuhet se sektori i ndërtimit ka shënuar një “boom” shitjesh. Kjo dukuri është konfirmuar pak kohë më parë edhe nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2018 shitjet u rritën me 12% dhe 9%. Ndërkaq, sektori i ndërtimit vlerësohet që ta ketë vijuar rritjen e tij edhe në tremujorin e katërt. Nw kwtw mwnyrw, ai rezulton të jetë ende një ndër sektorët më vitalë të ekonomisë shqiptare, edhe pse herë pas here i pushtuar nga problematika apo faza të veçanta ulje.