Raporti DASH: Kosova vazhdon të përballet me korrupsion në strukturat qeveritare

Raporti DASH: Kosova vazhdon të përballet me korrupsion në strukturat qeveritare
Në raportin e Departamentit të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut në botë theksohet Kosova vazhdon të përballet me korrupsion në strukturat qeveritare.
Raporti vëren një numër problemesh në Kosovë gjatë vitit 2018, ndër to kërcënime e dhunë ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave nga forcat e rendit, si dhe kthimin e personave që përmbushin standardin e refugjatit në vendet e origjinës.
“Në disa raste qeveria ndërmori hapa për të ndëshkuar zyrtarë të forcave të rendit apo të institucioneve të tjera, të cilët kishin kryer shkelje. Megjithatë, në mes të punonjësve civilë, opozitës, shoqërisë civile dhe medias mbetet e përhapur bindja se zyrtarët qeveritarë përfshihen në korrupsion pa frikën e ndëshkimit në përputhje me ligjin”, theksohet në këtë dokument.
Me kalimin e përgjegjësive për hetimin e krimeve të luftës së 1998-1999 nga strukturat e EULEX-it tek Gjykata Speciale, raporti vëren se më shumë se gjysma e çështjeve të hapura gjyqësore janë pezulluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me arsyetimin se nuk dihet vendndodhja e të akuzuarve.
Raporti i Departamentit të Shtetit vëren shkelje të rregulloreve në vendimet e gjykatësve për t’u mohuar lirim me kusht të pandehurve, apo raste të mbajtjes për një periudhë të gjatë në paraburgim në pritje të gjykimit, për shkak të korrupsionit apo mungesës së profesionalizmit në radhët e punonjësve të gjyqësorit.
Strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike, thuhet në raport. Sistemi është i mbingarkuar gjë që ndikon negativisht tek të drejtat e të pandehurve për një gjykim të shpejtë. Sipas raportit, në muajin korrik mbeteshin për shqyrtim 280 mijë lëndë civile dhe penale. Përveç këtyre prisnin zgjidhje edhe 150 mijë raste të tjera për shkelje të vogla.
Departamenti i Shtetit vëren në analizën e tij se autoritetet në Kosovë shpesh nuk vinin në zbatim vendimin e gjykatës, përfshirë edhe të Gjykatës Kushtetuese, sidomos në rastet kur vendimi ishte në favor të pakicave.
Problemet me drejtësinë ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Raporti sjell shembullin e një numër policësh të arrestuar vjet nën akuzat për korrupsion, ndër to raste për abuzim pushteti si dhe mitmarrje./Ibna/