Rama sfidon opozitën: Nuk e jap dorëheqjen!

Rama sfidon opozitën: Nuk e jap dorëheqjen!

ryeministri Edi Rama doli mbrëmë para mediave me një mesazh për qytetarët, ku foli gjatë mbi zhvillimet e fundit politike në vend ndërsa në fund, paralajmëroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Për Edi Ramën, opozita ka konsumuar një akt të panjohur në historinë e vendeve me zgjedhjeve. “Një akt i paparë dhe i padëgjuar, por jo krejt i pashpjegueshëm për ne në Shqipëri”, – pohoi Kryeministri.

Rama tha se kjo e së enjtes kur u dorëzuan zyrtarisht mandatet, “është ditë e keqe për demokracinë shqiptare”. Ai alarmoi se kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit.

Kurse duke komentuar akuzat për vjedhje votash, Rama theksoi se “askush nuk e ka mohuar se në Shqipëri nuk ekziston një fenomen i tillë”, duke vijuar: “Nuk marr përsipër kurrsesi të pretendoj se askush, askund, asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin në këtë drejtim, edhe në emër të Partisë Socialiste prandaj kam qenë dhe jemi gati ne, Partia Socialiste, të marrim çdo masë ligjore për ta rënduar dënimin mbi shitblerjen e votës, ama kjo bëhet së bashku”.

Gjithsesi Rama siguroi se shitblerja e votave nuk mund të përmbysë rezultatin që ai ka arrë: “Ama kush më thotë se në këtë vend blihet shumica e popullit dhe fituesin e vendosin votat e shitura, ose e di për budalla këtë popull ose nuk di se çfarë flet”.

Për Ramën, zgjedhja që kjo opozitë ka bërë sot është zgjedhja më e keqe që mund të bënte për t’i dalë zot zgjedhësve të saj, por dhe Shqipërisë që ka nevojë për një opozitë vizionare, duke shtuar se kjo është përgjegjësia e lidershipitt të sotëm të opozitës “dhe ne mund të bëjmë fare pak ose aspak për ta shmangur vetëvrasjen politike të heqjes dorë nga përfaqësimi i zgjedhësve në Parlament”.

Rama tha se “zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre, për të folur me votë, qoftë në qershor të këtij viti, qoftë në qershor të viti 2021”, duke qartësuar kështu se nuk do të pranojë zgjedhje të parakohshme.

Në vijim, Rama u shpreh i hapur për negociata me opozitën, por njëkohësisht sqaroi se nuk ka ndërmend të pranojë kërkesat e saj për dorëheqjen e tij apo dhe krijimin e një qeverie kalimtare.

“Kjo shumicë qeverisëse do të vazhdojë punët për Shqipërinë, jo sikur s’ka ndodhur asgjë, por edhe sepse kjo që ndodhi na ngarkon me përgjegjësi më të madhe”, – tha z.Rama.