Qeveria vendosi ndryshimin e emërtimeve të 136 institucioneve në Maqedoninë e Veriut

Qeveria vendosi ndryshimin e emërtimeve të 136 institucioneve në Maqedoninë e Veriut

Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin e emërtimeve të 136 institucioneve shtetërore, duke ia hequr emërtimin maqedonas(Macedonian) dhe Republika e Maqedonisë.

Disa prej tyre do të kenë parashtesën “veriore”, disa me “kombëtare”, konform Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese.

Qeveria, Kuvendi, Presidenti, ministritë, gjykatat, Banka Shtetërore do të jenë me emërtimin e ri të “Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Filarmonia nga “Maqedonase” do të riemërtohet në “Kombëtare”. E njëjta vlen edhe Operën dhe baletin Maqedonas.  Po ashtu edhe Radiotelevizioni i Maqedonisë do të bëhet “Radiotelevizioni kombëtar  Shkupi”.

“Institucionet në vend duhet t’i ndryshojnë emrat e tyre në afat të arsyeshëm ose konform praktikave të zakonshme administrative që është në frymën e Marrëveshjes së Prespës. Me këtë do të respektohen dispozitat e Marrëveshjes, ka porositur shefi i diplomacisë Nikola Dimitrov.

Lidhur me emërtimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase,  Dimitrov ka përmendur se ky është institucion shtetëror, por atje ka specifikë të caktuar dhe ka shfaqur shpresë se do të gjendet, siç tha, një zgjidhje e mirë për këtë institucion. Ministria e Brendshme po ashtu është aktivizuar për ndryshimin e emërtimeve në dokumentet personale dhe se gjatë katër muajve të ardhshëm, qytetarët do të pajisen me dokumentet e tjera. Deri tani janë ndryshuar tabelat në pikat kufitare të vendit, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës. /IBNA