Propozimi: PPP me oferta të pakërkuara të bllokohen vetëm për dy vjet, pastaj të aplikohen prapë

Propozimi: PPP me oferta  të pakërkuara të bllokohen  vetëm për dy vjet, pastaj  të aplikohen prapë

Koncesionet me oferta të pakërkuara, të bllokohen vetëm për dy vjet dhe pastaj të rikthehen përsëri. Një propozim të tillë u bë dje nga deputetët ndaj kësaj forme të partneritetit publik privat. Ata dolën kundër variantit të qeverisë, i cili propozonte mospërdorimin fare të tyre nga 1 korriku i këtij viti dhe më tej, për disa sektorë të ekonomisë. Sipas tyre, këto forma koncesionesh duhet të bllokohen vetëm për një periudhë 2-vjeçare, deri në fund të vitit 2021. Pastaj duhet që të rinisë përdorimi i tyre si forma për të realizuar projekte të ndryshme në shëndetësi, indrastrukturë, arsim, etj.

“Ne jemi që të vendoset një limit kohor, dhjetori i vitit 2021 mbi mospranimin e ofertave të pakërkuara për pjesën më të madhe të sektorëve”, thakryetari i komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Niko Peleshi. Ndërsa ministria e Financave kërkonte që këto lloj projektesh të shfuqizohen përgjithmonë. Ka qenë ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili fundvitin e kaluar, pohoi publikisht se “më e mira do të ishte që të hiqej mundësia e ofertës së pakërkuar në shumë sektorë, si në shëndetësi, infrastrukturë, energji, mjedis, arsim, kudo, në çdo dikaster”. “Në mesin e vitit 2019 do të ketë vetëm oferta të kërkuara”, është shprehur ai. Por mesa duket, të tilla forma koncesionesh do të vazhdojnë ende të jenë të pranishme në vend, pas dy vitesh.

FMN-ja e paralajmëroi qeverinë: Mos pranoni oferta të pakërkuara!

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka paralajmëruar qeverinë shqiptare pak kohë më parë se duhet të ndalojë aplikimin e formave koncesionare me oferta të pakërkuara. Duke theksuar se rritja e shpejtë e Partneriteteve Publike Private ka rritur risqet fiskale. “Në të njëjtën kohë rekomandojmë një proces me oferta konkurruese, duke mos pranuar më oferta të pakërkuara”, ka pohuar Jan Kees Martijn, shefi i misionit të FMN-së në Tiranë.