Prodhimet “Made in Albania”, rritje më të lehtë çmimesh se më parë

Prodhimet “Made in Albania”, rritje  më të lehtë çmimesh se më parë

Të realizosh prodhime “Made in Albania” në Shqipëri, duket se ka patur më pak kosto në fund të vitit të kaluar. Për këtë arsye, ato kanë ofruar edhe çmime me një rritje më të ulët në treg sesa herët e tjera. Kjo është konfirmuar nga raporti më i fundit i Institutit të Statistikave, sipas të cilit rezulton se rritja e çmimeve të prodhimit është frenuar në fundvitin e vitit të kaluar.

Konkretisht, këto çmime janë rritur vetëm me nivelin prej 0.5%, rritja më e dobët kjo e regjistruar për vitin e kaluar.

Dhe që flet qartë për tarifa më të ulëta me të cilat prodhimet në tërësinë e tyre janë hedhur në treg nga prodhuesit. Janë pikërisht këto çmime që ndikojnë pastaj edhe në çmimet e konsumit. Sepse nëse prodhuesit i rrisin çmimet, i bie që kjo rritje të përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.

Mjafton të përmendim këtu grupin e industrisë ushqimore, e cila ka shënuar edhe një rënie të çmimit të prodhimit deri në -1.9% në fund të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, edhe industria përpunuese ka shënuar një rënie të dukshme të çmimeve të prodhimit të saj, deri në nivelin prej -1.5% e duke treguar kështu një tjetër aspekt të çmimeve më të lira të konsumit të këtyre lloj prodhimeve, që gjithashtu janë të rëndësishme për konsumatorin shqiptar.

Por nuk duhet harruar nga ana tjetër as dhe çmimi i prodhimit të industrisë nxjerrëse, ku këtu futet edhe nafta, rritja e të cilit në fund të vitit të kaluar arriti deri në nivelin rritës prej 4.3%, duke dhënë kështu ndikimin e tij negativ te konsumatori.

Mallrat shqiptare për eksport, tani po shiten më lirë në tregjet e huaja

Një dukuri pozitive që ka dhënë rënia e çmimeve të prodhimit në fund të vitit të kaluar ka qenë edhe ajo e uljes së çmimeve të prodhimit të produkteve të destinuara për eksport. “Ato kanë shënuar ulje me nivelin prej -2.1%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm u ul me nivelin prej -0.8%”, pohojnë ekspertët e Institutit të Statistikave.