
Ndërsa opozita ka futur vendin në krizë politike duke djegur mandatet e deputetëve të saj, nga Gjermania, Presidenti i Republikës, shprehu sot shpresën se në qershor, Bashkimi Europian do të vendosë për çeljen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim.
“Ne shpresojmë se edhe me mbështetjen e paçmuar të Gjermanisë dhe me vullnetin e të gjithë vendeve anëtare, të jemi të gatshëm të çelim negociatat me BE-në qershorin e 2019-s” tha presidenti gjatë një fjalimi të gjatë që mbajti në Konferencën Vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane në Berlin, ku ishte si i “Ftuar Nderi”.
Në prani të shumë bizneseve, z.Ilir Meta gjeti rastin të ftonte bizneset gjermane për investimeve në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri.
Apelet e Presidentit vijnë në një periudhë të vështirë për politikën shqiptare. Opozita e bashkuar ku dominojnë Partia Demokratike e Lulzim Bashës dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e bashkëshortes së Metës, Monika Kryemadhi, kanë shpallur vendimin për të djegur mandatet e të gjithë deputetëve të tyre.
Në këtë mënyrë është hera e parë në 28 vjet pas rikthimit të demokracisë që Shqipëria përballet me mungesë pluralizmi politik, të paktën në Parlament. /ibna/