Policia shqiptare futet me forcë në shtëpitë e disa gjyqtarëve të Apelit

Policia shqiptare futet me forcë në shtëpitë e disa gjyqtarëve të Apelit

Në Shqipëri, për herë të parë që nga rikthimi i demokracisë, Policia e Shtetit ka organizuar një operacion special në shtëpitë e disa gjyqtarëve të Apelit.

Dhjetëra forca speciale u futën sot herët në mëngjes në shtëpitë e tre gjyqtarëve, Skënder Damiani, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, raporton IBNA duke cituar burime zyrtare nga Policia e Shtetit.

Aksioni është duke vazhduar edhe momentalisht.

Policia e Shtetit, pas kërkesës së IBNA për të dhëna zyrtare, konfirmoi aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale.
Ajo tha se aksioni erdhi në zbatim të urdhrit të datës 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit.

“Operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por mund të konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese”, – i tha IBNA-s, drejtori për Marrëdhëniet me Publikun i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai.

Ai shtoi se në përfundim të operacionit, Policia e Shtetit do të ketë një komunikim të veçantë me median dhe publikun.

Ndërkohë IBNA mësoi se në banesën e një prej gyqtarëve, Skënder Damiani, u gjetën 20 mijë euro të cilat dyshohet se nuk justifikohen nga paga e tij si gjyqtar.

Kontrollet vijnë pak ditë pasi këta gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Tiranë, vendosën të hedhin poshtë vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë që kishte dhënë burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, një person i akuzuar se vrau katër komando të forcave speciale policore gjatë një operacioni për arrestimin e tij në Durrës.

Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2009, por u deshën dhjetë vjet gjykim nga drejtësia. Vendimi më i fundit, u dha për 25 vjet burgim. Duke qenë se Dajti ka kryer më shumë se dhjetë vjet burgim të cilat llogariten 50 për qind më shumë, mund të aplikonte pas pak kohësh për liri me kusht pas plotësimit të gjysmës së dënimit.

Vendimi për Dajtin ngjalli shumë reagime publike, sidomos nga politika.

Kurse aksioni i sotëm i policisë, është i paprecedentë në këto 3 dekada.

Këtë e pohoi sot edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se forcat e Policisë së Shtetit, “thyen mitin 30 vjeçar të paprekshmërisë absolute të kriminelëve me toga të zeza”.

Sipas Ramës, ata i treguan “vrasësve të drejtësisë për 4 policët e vrarë se koha e të paprekshmëve po mbaron”.

Rama theksoi se shteti sot ka hyrë në një fazë të re.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha e sheh ndryshe këtë aksion.

“Qesharake! Rama dy javë pasi i hoqi katër dënimet me vdekje mikut të tij, vrasësit serial Dritan Dajti, dërgoi sot herët në mëngjes forcat speciale për të kontrolluar vrasësit serialë të togave të zeza që zbatuan urdhrat e tij!”, tha Berisha. /ibna/