Policia paralajmëron qytetarët shqiptarë: Në protestë do ketë dhunë

Policia paralajmëron qytetarët shqiptarë: Në protestë do ketë dhunë

Reagimi i PD: Përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar!

Policia e Shtetit paralajmëroi edhe një herë të premten se në protestën e nesërme (e shtunë) do të ketë dhunë nga njerëz që do të vijnë enkas për këtë.

Për ta përforcuar apelin e saj, Policia e Shtetit përdori dje në deklaratën e saj, citime të liderëve opozitarë, që sipas saj, kanë bërë thirrje për dhunë në protestën e kësaj të shtune të sotme, 16 shkurt.

E ndërkohë, Policia e Shtetit thotë se veç këtyre thirrjeve ka edhe njerëz që janë bërë gati të ushtrojnë dhunë në protestë.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”, – thuhet në njoftimin policor.

Policia e Shtetit përsërit thirrjen drejtuar organizatorëve, që të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë, si dhe nga personat me rekorde të rënda kriminale.

“Për qytetarët që nuk janë pjesë e protestës bëhet thirrje që të shmangin sa të jetë e mundur mjediset, ku ajo do të zhvillohet”, – thotë Policia e Shtetit.

Apelit të policisë iu përgjigj Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi: “Në emër të Partisë Demokratike, lajmërojmë Policinë Politike të frikacakut Edi Rama se ka vetëm një person të lidhur me krimin, që është i interesuar dhe i përgatitur për të ushtruar dhunë. Ai quhet Edi Rama”.

Për PD, thirrjet e policisë që ne të distancohemi nga ata që inkurajojnë dhunë apo nga personat me rekorde të rënda kriminale janë sa qesharake, aq edhe kriminale.

“Partia Demokratike nuk ka nxitur kurrë dhunë dhe as nuk ka patur në radhët e saj njerëz të krimit! Persona me rekorde të rënda kriminale nuk janë mes nesh, nuk janë mes protestuesve, por janë në qeveri dhe me qeverinë”, – tha z.Bardhi.

Duke shpërfillur refuzimin policor për protestë në disa rrugë, Bardhi shtoi: “Se ku do të protestojë populli këtë e vendos populli dhe jo Policia Politike e kryeministrit të dalë boje në sytë e shqiptarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë”.

Për PD, “Edi Rama dhe Policia Politike e dinë se numërimi mbrapsht ka filluar dhe se asgjë nuk mund ta ndalë dot popullin! Të bashkuar ne do të jemi të gjithë në shesh për ta çliruar vendin nga e keqja! Ndryshimi është në dorën e shqiptarëve të bashkuar dhe, që nga nesër, të gjithë bashkë, nuk do të lejojnë më një bandë të vendosë për ta, por do ta marrin fatin në duart e tyre”.