Në zgjedhjet e Qershorit, opozita do të jetë edhe më e paktë, thotë KM Rama

Në zgjedhjet e Qershorit, opozita do të jetë edhe më e paktë, thotë KM Rama

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot opozitën se në zgjedhjet e ardhshme që priten në qershor 2019, për pushtetin e ri lokal, do të pakësohet edhe më shumë se dy vjet më parë në zgjedhjet parlamentare.

Rama zhvilloi një takim me banorë të veriut të Shqipërisë, në Pukë dhe shigjetoi në fjalimin e tij të gjatë, kryesisht opozitën, pak orë pasi ajo shpalli djegien e mandateve.

Ky është mandati i dytë i qeverisë, e megjithatë Rama sërish thotë se fajin pse shqiptarët largohen dhe u vritet shpresa është opozita.

“Ça po bëjmë ne ju e shihni, kemi të metat tona, gabimet tona. Por se çfarë ka bërë opozita për Shqipërinë, të gjithë e dinë. Dhe më e keqja është se edhe në opozitë ata janë përsëri një pengesë e madhe për rrugën tonë të zhvillimit dhe përparimit. Pa asnjë vizion apo program zhvillimi alternativ, pa pyetur se kështu, po vritet shpresa e njerëzve të zakonshëm nga sjellje dhe akte të papranueshme”, – u shpreh z.Rama, duke i konsideruar si akte vandalizmi ngjarjet në protestën e 16 Shkurtit.

“Flasin për blerje votash kur në zgjedhjet e kaluara ata ishin në qeveri” tha Rama ndërsa u shpreh i bindur se opozita do të humbasë sërish në zgjedhjet e lokale dhe ato parlamentare kurdo që ato të zhvillohen. “Për sa kohë opozita do të vazhdojë të mendojë se shqiptarët mund t’i bëjë për budallenj, për aq kohë, shqiptarët do t’ lënë ku e kanë vendin, por do zvogëlohen edhe më shumë. Di që në ballafaqimin e ardhshëm zgjedhor, në këto zgjedhje apo në zgjedhjet e 2021, populli do t’i lërë aty ku janë, por do të jenë më pak se ç’janë sot”, – tha kryeministri. /ibna/