Lulzim Basha në udhëkryq, fituesi i merr të gjitha, humbësi s’merr asgjë

Lulzim Basha në udhëkryq, fituesi i merr të gjitha, humbësi s’merr asgjë

Nga Roland Qafoku

Pas afro 6 viteve në krye të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur aksionin më të madh, më të fortë dhe më paprecedentë në historinë e Shqipërisë politike. Lënia e mandateve të deputetëve të opozitës të shpallur më 17 shkurt, më shumë se lëvizje me përmasa XXL është në të njëjtën kohë një bast i madh politik si lider i opozitës. Kërkon zgjedhje të parakohshme. Kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama. E shikon atë si lojtar që e mashtroi një herë, por që nuk mund t’ia hedhë më. Kërkon një qeveri teknike që të bëjë të mundur zgjedhje të lira pa blerje votash dhe se me këtë mekanizëm PD jo vetëm nuk humbet por në një garë të drejtë fiton. Shpall protesta në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë, por nuk merr përsipër të tërheqë protestuesit nga dhuna. Dhe më e forta, e të fortave, shpërfill ndërkombëtarët me devizën se “punët e shqiptarëve i dinë më mirë shqiptarët”. I pret me buzëqeshjen e tij ekskluzive, por teksa i përcjell te dera deklaron se nuk tërhiqet nga vendimi ekstrem. Ai vetë jo e jo, por asnjë politikan tjetër shqiptar nuk e ka bërë këtë në këto 29 vjet.

Pas kësaj panorame të gjithë pyesin: Çfarë ndodhi me kryetarin e PD që u bë kaq radikal, kaq i fortë, kaq i prerë dhe kaq ekstrem? Çfarë ndodhi që politikani i vlerësuar, madje i akuzuar nga shqiptarët, si shumë i perëndimorizuar,  u thotë “jo” të prerë perëndimorëve? Çfarë ndodhi që kryetari aspak pragmatist i Partisë Demokratike kërkon të arrijë shumë dhe mbi të gjitha na e do mendja se nuk e mendon humbjen? A do tia arrijë asaj që kërkon dhe a është mundësia ta arrijë këtë? Këto pyetje të forta bëjnë që pozita politike e Bashës të ndodhet në udhëkryq.

Me dy palë zgjedhje të humbura thellë. Me sondazhe që e nxjerrin humbës. Me besim të lëkundur dhe me një përballje elektorale pothuajse të humbur me socialistët, e vetmja armë e fortë e tij ka mbetur përplasja. Një përplasje që ka ka nevojë të tregojë forcën por mbi të gjitha moralin. Një moral që praktikisht qeverisja e majtë e ka humbur. Në mandatin e saj të dytë, pushteti ka rrëshkitur keq dhe Basha pikërisht këtu shikon zgjidhjen.  Por nëse moralisht qeveria ka rënë, problemi është se opozita nuk është ngritur. Dhe Basha këkron që ngritjen ta bëjë në një formë që askush nuk e ka bërë deri më sot.

Asnjë politikan me përvojë, asnjë gazetar dhe analist me intuitë dhe nuhatje nuk mund të parashikojë dot se çmund të ndodhë në të ardhmen. Asnjë studiues dhe qëmtues i ngajrjeve politike nuk mund të bëj sinoptikanin politik të këtij moment për Shqipërinë në përgjithësi dhe me Lulzim Bashën në veçanti.  Situata endet si të ishin katër makina në ecje e sipër në rrugë që po afrohen në një kryqëzim katërrugësh pa asnjë semafor. Në një makinë ndodhet Lulzim Basha vetë që ecën me shpejtësi skëterrë. Në makinën që vjen përballë ndodhet Edi Rama. Në një makinë tjetër përfaqësues të BE dhe në të katërtën përfaqësues të SHBA. Edhe pse rregulli i lëvizjes i jep përparësi drejtuesit djathtas, askush nuk e di se cili do bëjë lëvizjen e parë tejet përcaktuese. Mjafton një lëvizje dhe aksidenti është i paevitueshëm. Nëse Basha i arrin ato që ka kërkuar, padyshim do të jetë fituesi i madh i betejës më të madhe politike të bërë ndonjëherë në këto 29 vjet. Kuotat e tij do jenë në majë. Skeptikët në PD do mbushen me siguri dhe ai do të quhet me plot gojën pasardhës i denjë i Sali Berishës. Kundërshtarët do ulin veshët dhe bashkëpunërtorët do vendosin duart në kurorën me dafina të vendosur rrotull  kokës së tij. Thjesht ai do cilësohet fituesi i madh. Më mirë, më bukur, më shumë nuk ka.

Por në të njëjtën kohë vijnë edhe pyetjet e kundërta. Janë më të hidhura, por duken më reale. Po nëse Lulzim Basha nuk do tia arrijë kësaj që kërkon dhe këmbëngul? Po nëse ai nuk arrin të detyrojë realizimin e zgjedhjeve të parakoshme? Po nëse ai nuk arrin të largojë Edi Ramën si kryeministër? Po nëse ai nuk arrin të detyrojë ngritjen e një qeverie teknike? Çfarë do ndodhë nëse nuk i arrin këto? A do ti qetësojë ai të vetët pranë dhe demokratët anembanë se ishte i detyruar të bënte marrëveshje.

Natyrshëm përgjigja e kësaj situate nuk është entuziaste për vetë Bashën. Të gjitha justifikimet janë mbaruar dhe asnjë nuk mund ta mbajë atë. As morali me të cilin po e udhëheq këtë betejë, e as beniaminët e tij të thekur. Madje, nëse në këtë aksion politik ai dështon, as vetë lideri historik i PD, Sali Berisha, nuk mund ta mbrojë dhe mbështesë më.

Me Bashën pritet ose do ti fitojë të gjitha ato që ka kërkuar, ose do i humbasë të gjitha. Brenda është edhe largimi nga drejtimi i PD. Të presim.