Ligji i ri, bizneset duhet të hapin llogari bankare

Ligji i ri, bizneset duhet të hapin llogari bankare

Ekspertët e financave, përmes kanalizimit nëpër kanalet bankare të çdo veprimi financiar, synojnë reduktimin sa më shumë të jetë e mundur të parasë “cash” në ekonomi

Deri tani, ndoshta nuk ka qenë e detyrueshme dhe shumë biznese të vegjël i kryenin veprimet e tyre financiare “dorazi”. Porse tani e tutje, shumica e tyre do të detyrohen që të hapin me çdo kusht një llogari bankare. Kjo falë një ligji të ri, ë ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, i hedhur për konsultim publik nga ana e saj.

Sipas tij, përcaktohet që çdo biznes me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit, të hapë patjetër një llogari në bankë, përndryshe do të gjobitet. Masë kjo, e vlefshme edhe për të gjitha organizatat jofitimprurëse, të cilat janë regjistruar pranë organeve tatimore dhe kryejnë veprime financiare, sado që ato mund të jenë të justifikuara si aspak fitimprurëse.

Tatimpaguesit me status “person fizik tregtar” të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, pro edhe tatimpaguesit me status “person juridik”, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës të regjistruar”, thuhet saktësisht në nenin e parë të këtij drafti.

Ndërsa më tej, në nenin dy sqarohet se të gjitha këto subjekte nëse nuk disponojnë llogari bankare për transaksionet që kryejnë, dënohen me gjoba të caktuara. Por cilat do të jenë ato?

“Tatimpaguesit e regjistruar në TVSH me qarkullim deri në 8 milion lekë, gjobë në masën 50.000 lekë. Tatimpaguesit me status “person juridik” pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit me status “person fizik tregtar” me qarkullim mbi 8 milion lekë, gjobë në masën 100.000 lekë.

Organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75.000 lekë”, sqaron drafti në fjalë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, shton më tej se “nëse subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë”.

Për të theksuar në këtë mënyrë rëndësinë që ka sipas ekspertëve të Ekonomisë dhe Financave, tashmë kanalizimi nëpër kanalet bankare i çdo veprimi financiar që mund të kryejë një biznes, edhe kur ai është i vogël.