Kryekomunisti Xhafa: Për ta groposur më thellë opozitën, Rama duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme

Kryekomunisti Xhafa: Për ta groposur më thellë opozitën, Rama duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme

INTERVISTA/ Muharrem Xhafa, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH flet me “Albanian Free Press” për zhvillimet e fundit politike në vend

Muharrem Xhafa, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, forca kryesore e partive komuniste në vend, beson se Edi Rama i bëri ndryshimet e fundit në qeveri nën presionin e opozitës së liderit Basha. Sipas kryekomunistit Xhafa, ndryshimet në qeveri nuk duhen bërë për të mbrojtur “xhepat” e ministrave të larguar ose të Kryeministrit, nëse janë bërë pis dhe as për të mbushur “xhepat” e ministrave “lepe-peqe”.

Po ashtu z.Xhafa beson se emrat e rinj në qeveri, edhe pse duket sikur janë larg PS dhe politikës në të vërtetë ata janë shumë pranë kësaj force politike dhe efektivisht brenda saj. Kurse kritikon faktin që u lanë mënjanë emra të tjerë të rëndësishëm prej vitesh në PS.

Në një intervistë me IBNA, z.Xhafa sugjeron se “për t’i treguar opozitës se është duke djersitur në dimër, po edhe për ta groposur më thellë, Rama duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme”.

Intervistoi Albert Zholi

Ndryshimet e shumta në kabinetin qeveritar “Rama”, janë kryefjala e zhvillimeve të fundit politike në vend. Si i shikoni ato?

Mendoj që ndryshimet në qeveri nuk duhen bërë me “tërmet” dhe nën presionin e opozitës, po atëherë kur ato janë të nevojshme të bëhen, me qëllim që t’i shërbejnë përmbushjes më mirë të detyrave qeverisëse. Çdo ndryshim në qeveri duhet të ketë edhe mbështetjen e elektoratit, të opinionit të popullit, përndryshe qeverisë i del boja. Në rast se ndryshimet në qeveri nuk gjejnë mbështetje të gjerë në popull, çdo kryeministër i përgjegjshëm kërkon të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. A ishte a s’ishte vendimi i Ramës për ndryshimet në qeveri më i drejti, këtë e di Rama, po e keqja, mendoj, ka mbetur brenda qeverisë.

Fakt është se në krye të ministrive janë vendosur emra që janë larg politikës dhe madje larg PS-së. A mendoni se kjo është rrjedhojë e një krize intelektuale në PS?

Do të thoja: A ishin ministrat e rinj, emrat më të shquar dhe intelektualët më të suksesshëm në radhët e PS-së? Mendoj se PS-ja ka plot intelektualë më të aftë e me kontribute më të mëdha. Siç është përfolur shumë, ata janë intelektualë të panjohur dhe, krahasuar me të tjerë, me reputacion e kontribute modeste, për të mos thënë ndonjë fjalë të rëndë. Sidoqoftë, s’është kryesor faji i tyre; kryesore mbeten përzgjedhja e përgjegjësia e Kryeministrit.

Opozita, sidomos PD dhe LSI, po e përmendin gjithnjë e më shumë kohët e fundit, mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale të parapara për më 30 qershor të këtij viti. A mendoni se do ketë zgjedhje të tilla dhe se qeveria “Rama” është në krizë?

Situata duket e tensionuar, veçse jo në kampin e mazhorancës, por edhe të opozitës. Sepse mazhoranca po tregohet më e matur dhe akoma nuk i ka hedhur energjitë e saj në veprim. Është opozita ajo që po vepron gabim. Se, aq njerëz sa i shkojnë pas asaj, nuk e ngjisin kurrë opozitën në pushtet. Për gjendjen e krijuar që ekziston, unë them se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse për opozitën s’ka kurrgjë të jashtëzakonshme, përjashtuar ngutjen e saj për të marrë pushtetin. Për t’i treguar opozitës se është duke djersitur në dimër, po edhe për ta groposur më thellë, Rama duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Nga ana tjetër, PD po përpiqet që t’i japë një hov të ri opozitarizmit. Riorganizimi që bëri së fundi kjo parti a mendoni se do të sjellë një frymë të re në kampin opozitar?

Unë kam mendimin se në PD nuk është bërë kurrfarë riorganizimi. PD-ja bëri disa ndryshime në forumet e saj, por jo për t’i shërbyer Partisë Demokratike, por për t’i shërbyer lidershipit të “ri” të saj, që, për mendimin tim, do ta fusë PD-në në një krizë edhe më të thellë. Pra, riorganizimi i PD-së, siç e quani ju, apo ndryshimet mekanike në PD, siç i quaj unë, nuk do të sjellin kurrfarë fryme të re në kampin opozitar! S’është çudi që PD-ja, me ndryshimet që bëri në forumet e saj, të jetë edhe më e përçarë se më parë.