Këshilli i Evropës kërkon që deputetët e opozitës të rishikojnë dorëheqjen kolektive

Këshilli i Evropës kërkon që deputetët e opozitës të rishikojnë dorëheqjen kolektive

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, reagoi sot (e martë), lidhur me djegien e mandateve të deputetëve prej opozitës.

Raportuesit për Shqipërinë në Asamblenë e KiE, Joseph O’Reilly dhe Andrej Hunko, në një deklaratë lidhur me situatën në vend, thonë se në një shoqëri demokratike Parlamenti është qendra e debatit politik.

“Në një shoqëri demokratike, Parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe diskutimit. Parlamentarët i përkasin Parlamentit”, deklarohet.

Më tej nënvizohet se deputetët e opozitës duhet të rishikojnë dorëheqjet e tyre dhe të rikthehen në Parlament.

Në të njëjtën kohë, ata i bënë thirrje shumicës në pushtet që të sigurojnë hapësirën e përshtatshme për opozitën që të funksionojë dhe të angazhohet në një dialog të sinqertë dhe domethënës me opozitën mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit.

“Të dyja palët duhet të përdorin forumin e parlamentit për t’u angazhuar, në mirëbesim, në një dialog të tillë në mënyrë që të kapërcehet situata aktuale politike pa krye. Nëse kërkohet, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar kolegët tanë nga të dyja palët në këtë përpjekje, “përfunduan bashkë-raportuesit. /ibna/