Investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut, Qeveria paralajmëron, opozita kritikon

Investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut, Qeveria paralajmëron, opozita kritikon

Qeveria është optimiste se po vijnë investime të huaja në vend pasi që vendi po ecën rrugës së anëtarësimit të plotë në NATO. Kryeministri Zoran Zaev thotë se nga ratifikimi i Protokollit për në NATO në Parlamentin e Greqisë, gjashtë kompani kanë kumtuar se kanë marrë vendim për të investuar në vend.

“Do të kemi një kompani gjermane me investim prej 120 milionë euro…Por janë edhe dy kompani greke prej të cilave njëra është nga sfera e energjetikës, ndërsa investimi i përgjithshëm është 750 milionë euro”, theksoi Zaev.

Sipas tij, numri i investimeve të huaja në tremujorin e fundit në vitin 2018 është me siguri më i madhi nga cilido tremujor nga pavarësimi i vendit.

Nga partia opozitare VMRO-DPMNE kanë akuzuar pushtetin aktual se po stagnon ekonominë dhe nuk ka investime të huaja.

“Në listën e rangimit të ‘Forbes’ për drejtim të biznesit ka rënie në vendin e 68-të. Nuk kemi parë ndonjë investim të huaj. Kjo Qeveri  e SDSM nuk ka kapacitet dhe njohuri për të sjellë investime të huaja”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore gjatë vitit 2018 ka pasur rritje të investimeve të huaja në krahasim me vitin 2017. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar ka investimet e huaja direkte kanë qenë 327 milionë euro. /IBNA