Intervistë/Bello:Situata politike duket se po shkon në favor të opozitës

Intervistë/Bello:Situata politike duket se po  shkon në favor të opozitës

Situata politike në vend duket se po shkon në favor të opozitës, ndërsa ky mandat i dytë po rezulton i vështirë për qeverinë “Rama”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për Albanian Independent News Agency, ish-deputeti Marko Bello.“Rama ka sjellë në qeveri emra të panjohur, pa karrierë politike dhe pa ngarkesa po ashtu”, pohon ai. Duke shtuar se “në fund të fundit janë zgjedhjet, ato që tregojnë realisht se cila forcë gëzon mbështetje të shumicës së qytetarëve”.

Intervistoi Albert Zholi

Cili është mendimi juaj për 16 shkurtin? Sipas jush, a do të sjellë diçka të re kjo protestë e re e opozitës?

Opozita e bashkuar ka njoftuar mbajtjen e një proteste në datën 16 shkurt, kundër mënyrës sesi po qeveris Shqipërinë mazhoranca e Partisë Socialiste. Paralelisht, me akuzat se vendi po keqqeveriset, se krimi nuk po luftohet si dhe sa duhet, se korrupsioni i ka kapur të gjitha nivelet e pushtetit dhe integrimi në Bashkimin Evropian është vënë në pikëpyetje, opozita po artikulon edhe një pjesë të programit alternativ, më saktë disa masa për uljen e çmimeve të energjisë elektrike, karburantit dhe tatimit mbi të ardhurat. Kjo protestë do të shërbejë edhe për të parë nivelin e mbështetjes reale të opozitës nga qytetarët.

Tashmë dihen ndryshimet në qeverinë “Rama”. Cili është mendimi juaj me këto ndryshime, a do të kalojë kriza në qeveri?

Ndryshe nga mandati i parë qeverisës (2013-2017), në mandatin e dytë kryeministri dhe kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama po ndjen vështirësi si në drejtim të realizimit të reformave, ashtu edhe sa i përket performancës së kabinetit qeveritar. Rama ka sjellë në qeveri emra të panjohur, pa karrierë politike dhe pa ngarkesa po ashtu. Qëllimi është që të shmangë shigjetat e opozitës ndaj figurave të kompromentuara, me ngarkesa dhe të akuzuar për një sërë aferash dhe skandalesh, duke i servirur opinionit publik një qeveri pa ngjyrë e mëkate të mëparshme.

Si do ta komentoni protestën e studentëve. A ishin të drejta kërkesat e tyre? Pse nuk po mbështeten dhe a ka përgjegjësi stafi pedagogjik?

Protestat e studentëve rrëzuan propagandën e qeverisë, sipas së cilës punët në Shqipëri po shkonin mirë dhe se qytetarët do të pranonin kokëulur dhe pafundësisht padrejtësitë, arrogancën dhe korrupsionin e administratës qendrore e lokale. Ajo njëherazi befasoi edhe vetë opozitën e përgjumur dhe pa ide, me masivitetin e saj dhe entuziazmin, që ngjalli thuajse tek gjithë populli. Fatkeqësisht, ajo protestë nuk i përmbushi pritshmëritë dhe shpresat e shumicës së qytetarëve, të cilët me naivitet besuan se studentët do të zgjidhnin edhe shumë nga problemet e mëdha, me të cilat po ballafaqohet shoqëria shqiptare. Gjithsesi, ajo mbetet një rreze shprese për një vend, që ende nuk po përfundon tranzicionin nga sistemi totalitarist drejt një shoqërie ku sundon shteti i së drejtës dhe ekonomia e tregut.

Riorganizmi i Partisë Demokratike, a do të sjellë sipas jush një frymë të re në kampin opozitar?

Duke mos nënvlerësuar përpjekjet e opozitës për riorganizim dhe rifreskim të strukturave të saj, të krijohet përshtypja se edhe opozita vuan nga sëmundjet që vihen re edhe te partia e shumicës: formalizëm, figura të panjohura, shmangie e rregullave dhe statutit, zgjedhje me probleme, imponim i vullnetit të njëshit absolut, etj. Konstatohet nënshtrim i strukturave, anëtarësisë, pranim i gjithçkaje që thotë i pari i partisë, opozitë që përgjithësisht bëhet nëpërmjet disa deklaratave për shtyp, pra fare pak lejohet të dëgjohet zëri i anëtarësisë dhe qytetarëve.

Pra, situata duket e tensionuar. A mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Opozitat në përgjithësi kërkojnë revansh dhe zgjedhje të parakohshme për të rifituar pozitat e humbura dhe ardhur në pushtet. Nuk mund të them se do të kemi apo jo zgjedhje të parakohshme, por sigurisht pas qershorit do të kemi një tablo më të qartë sesi do të shkojnë gjërat. Nëse opozita e bashkuar arrin të përmbysë situatën dhe sigurojë mbështetje në qytetet kryesore, ditët e qeverisë mund të shkurtohen. Në të kundërt, mazhoranca do ta mbyllë mandatin e saj 4-vjeçar dhe do guxojë të kërkojë një mandat të ri qeverisës, edhe pse ky skenar duket se ka pak gjasa të ndodhë.