IBNA Intervistë me deputetin e PS, Andrea Marto

IBNA Intervistë me deputetin e PS, Andrea Marto

Në Shqipëri, kriza politike është thelluar orët e fundit, pasi opozita shpalli planin për të dorëzuar mandatet e deputetëve. Nëse ndodh një gjë e tillë, do të jetë hera e parë në afro 30 vjet demokraci të rikthyer, që në vend kthehet sistemi monist.

Andrea Marto, deputet i Partisë Socialiste, në këtë intervistë me Independent Balkan News Agency komenton këtë dhe të tjera zhvillime politike në vend.

Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?

Pjesëmarrja në protestën e datës 16 shkurt, nuk i justifikoi parapërgatitjet e ethshme të opozitës. Kjo opozitë ka organizuar protesta me pjesëmarrje më të lartë.

Çfarë tregoi kjo protestë?

Kjo protestë tregoi se pushteti nuk mund të ndërrohet me protesta, qofshin ato edhe të dhunshme – këtë thirrje propagandonin drejtuesit e  opozitës: dilni në protestë që të rrëzojmë Qeverinë. Nga ana tjetër dëshmoi se opozita e sotme vijon të mos jetë një alternativë bindëse për shumicën dërmuese të shqiptarëve.

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u prit?

Në opinion publik u prit me mosbesim, si protesta e radhës që nuk do të sillte asgjë të re.

Partnerët ndërkombëtarë dënuan dhunën qorre ndaj selisë qeveritare.

Pas kësaj proteste a u forcuan apo u lëkundën më shumë pozitat e Ramës?

Në gjykimin tim pozitat e Kryeministrit u forcuan. Dëshmi e qartë e vlerësimit për zotin Rama ishte edhe pjesëmarrja e entuziazmi në aktivitetin e organizuar ditën e shtunë në Vlorë. Agresiviteti i treguar nga opozita, sigurisht që përforcon pozitat e Qeverisë dhe të shumicës, por vendit i nevojitet një alternativë qeverisëse konstruktive. E ardhmja evropiane e Shqipërisë kërkon kontributin e të gjithë faktorëve dhe aktorëve.

Imediate për momentin, është reforma zgjedhore dhe opozita duhet të kontribuojë në realizimin e saj. Shumica i ka krijuar të gjitha hapësirat, por opozita vijon të jetë refuzuese. Në sistemet demokratike dialogu dhe bashkëpunimi janë instrumentet më efikase për zhvillim, protestat e dhunshme vetëm dëmtojnë rëndë të ardhmen.

Ka pasur reagime ku opozita thotë se policia provokoi dhe nga qeveria që thotë dhuna u përdor nga protestuesit, mendimi juaj?

Përpjekjet e opozitës për të justifikuar dhunën dhe përpjekjet për të pushtuar Kryeministrinë, me provokimet e policisë janë absurde. Policia ka treguar një profesionalizëm të admirueshëm, duke shmangur çdo veprim që mund të cënonte jetën e protestuesve edhe kur veprimet e tyre ishin tejet të dhunshme.

A mendoni se do të sjellë zhvillime të reja djegia e mandateve nëse bëhet?

Në demokraci kjo gjë nuk është normale dhe uroj të mos ndodhë. Opozita duhet të luajë rolin e saj si opozitë reale deri në zgjedhje.