IBNA Intervistë me deputeten e LSI, Nora Malaj

IBNA Intervistë me deputeten e LSI, Nora Malaj
Në Shqipëri, kriza politike është thelluar orët e fundit, pasi opozita shpalli vendimin për të dorëzuar mandatet e deputetëve. Në këtë mënyrë, kjo bëhet hera e parë në afro 30 vjet demokraci të rikthyer, që në vend kthehet sistemi monist. Nora Malaj, deputete e LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim), forca e dytë më e madhe e koalicionit opozitar, në këtë intervistë me Independent Balkan News Agency, komenton këtë moment dhe të tjera zhvillime politike në vend.

Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?

Protesta e 16 shkurtit i kaloi pritshmëritë ndaj edhe më skeptikët nuk mund të thonin dot kishte masivitet. Protesta e qytetarëve shqiptarë tregoi se përtej çdo pritshmërie populli të pret nga forma, të duron, por në fund nuk të fal.

Çfarë mesazhi dha për qeverinë kjo protestë?

Protesta tregoi se kësaj qeverie, të drejtuar nga narkotrafiku i ka ardhur fundi.

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u prit kjo protestë?

Opinioni i shqiptarëve është pro protestuesve, pro atyre që e duan Shqipërinë dhe e vlerësojnë vullnetin e popullit, pro lotëve të grave, të moshuarve, të rinjve, të rejave, që lotuan nga gazi lotsjellës dhe helmues dhe ata të gjithë e ndjejnë që beteja e madhe po afron, se Shqipëria është e shqiptarëve dhe të gjithë do ta mbrojmë vendi tonë, shtëpinë tonë! Natyrisht dhe ndërkombëtarët e kuptojnë dhe e perceptojnë që shqiptarët nuk mund të drejtohen nga oligarkët dhe trafikantët.

Ka pasur reagime ku opozita thotë se policia provokoi dhe nga qeveria që thotë se dhuna u përdor nga protestuesit, cili është mendimi juaj?

Protesta ishte e qëndrestarëve dhe e popullit që vetëm dhunues nuk është. Personalisht, gjithnjë kam qene kundra çdo lloj dhune dhe dhunimi, pasi institucionet nuk janë të një pseudo individi, por askush nuk ka të drejte ta trajtojë turmën si agresion dhe t’i hedhë bomba me lëndë helmuese luftarake. Kjo gjë ndodh vetëm në regjimet diktatoriale, ku diktatura popullin e trajton si huligan dhe jo si taksapagues, i cili ka të drejtën e tij të protestoj për fatet e tij dhe për t’u ndjerë pronar në shtëpinë e tij. Këtë mesazh e kuptuan qartë dhe e përcollën dhe ndërkombëtarët. Protesta nuk ishte luftë për vëllavrasje po ishte mesazhi më i madh që i treguan kryetarit të qeverisë që ai nuk është me kreu i qeverisë shqiptare.

Por a do të sjellë zhvillime të reja djegia e mandateve nëse bëhet?

Çdo veprim që tashmë po ndërmerr opozita tregon se Parlamenti nuk është më i qytetarëve, por i asaj kaste të kapurish dhe çdo veprim që do të vij më pas tregon edhe njëherë se opozita do të bej zgjidhje te problemit, pasi mandatet nuk janë te individëve, po te popullit. Dhe kur turma irritohet, populli mendohet dhe pastaj merr fatet e tij ne dore. Ne jemi me popullin dhe në mbrojtje të halleve dhe të zgjidhjes për të mirën ë tij. Mazhoranca sot ka humbur legjitimitetin e saj. Veprimi i lënies së mandateve ndonëse radikal tregon se opozita nuk ka kthim mbrapa, pasi kur flet në emër të popullit dhe aksioni duhet ta bëjë për popullin dhe në interes të tij. Kjo është kauzë që bëhet për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve.