IBNA Intervistë/ Aleati i demokratëve në opozitë, Agron Duka flet për djegien e mandateve

IBNA Intervistë/ Aleati i demokratëve në opozitë, Agron Duka flet për djegien e mandateve
Në Shqipëri, opozita e bashkuar shpalli vendimin për djegien e mandateve të deputetëve që përfaqësojnë popullin opozitar në Parlament.

E para ishte Partia Demokratike e cila tha se tërheq të gjithë deputetët e saj nga Kuvendi. Menjëherë më pas të njëjtin vendim mori edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Dy partive më të mëdha iu bashkuan dhe të tjerat, përfshirë Partinë Agrare Ambientaliste. Kryetari i saj, Agron Duka në këtë intervistë për IBNA flet mbi zhvillimet e fundit politike, arsyet pse po digjen mandatet dhe hapat e mëtejshëm.

PAA a do jetë pjesë e djegies së mandatave?

Sigurisht, ne jemi pjesë e opozitës dhe nuk mund të përjashtohemi nga ky pozicionim i opozitës. Ne kemi mandatet si në Durrës dhe Tiranë me listat e PD dhe do t’i djegim, nuk ka rrugë tjetër. Ky hap është një nismë, aksion politik i opozitës, ose akt politik i opozitës që shënon fillimin e një faze të re, në të cilën, të gjithë bashkë, duhet të gjejmë forcën për të sjellë një ndryshim real, jo vetëm për t’i dhënë fund tjetërsimit të zgjedhjeve, por për të hedhur themelet e një sistemi zgjedhor të drejtë, demokratik dhe përfaqësues. Këtë e kërkon koha.

Pas këtij momenti çfarë zhvillimesh priten?

Kjo situatë nuk mund të kalohet lehtë. Nuk mund të kalohet kjo situatë vetëm me një rikompozim tjetër të qeverisë. Po nga ana tjetër Rama do tentojë të afrojë deputetë nga opozita apo dhe ata që vijnë në lista pas djegies së mandateve.

Kush do të ishte veprimi më i drejtë i Ramës në këto situata?

Rama duhet të ulet në tryezë me opozitën, të gjejë gjuhën e përbashkët që të rregullohet Kodi Zgjedhor apo të krijohet një qeveri kalimtare deri në zgjedhje. Po ta mendojë mirë Rama duhet të zgjedhë hapin e dytë.

Gjithë këto zhvillime të reja mendoni se erdhën nga protesta e 16 shkurtit?

Pjesëmarrja për mendimin tim ishte e jashtëzakonshme, si asnjëherë tjetër. Duhet të jemi të sinqertë që Basha nuk u konsultua me ne se çfarë do të ndodhte pas protestës. Pra kur u mor ky vendim nga opozita edhe pse pa u konsultuar me ne, ne ishim të detyruar të hidhnim hapin tonë të miratimit pasi jemi në listat e PD. Janë disa marrëveshje që je i detyruar t’i çosh deri në fund.

A ka gjetur mbështetjen e ndërkombëtarëve djegia e mandateve?

Ndërkombëtarët gjithmonë janë kundër djegies së mandateve, dihet ajo se ndërkombëtarët janë për fitore me zgjedhje. Por ishin vetë ata që e hodhën në treg këtë situatë, pra denoncuan vjedhjen e zgjedhjeve. Ajo që dua të them është se tashmë jemi në një situatë të jashtëzakonshme politike. Kjo është situatë e rrallë në vendin tonë. Besoj do ketë zhvillime interesante.

Kjo situatë është në favor të opozitës?

Në këtë moment që hodhën këtë hap, opozita por sidomos PD dhe LSI luajnë për mbijetesë. Hapi u hodh tani duhet të jenë të kujdesshëm në ecurinë dhe mbajtjen e qëndrimit të nisur. Pra në këtë hap të hedhur nuk ka më kthim mbrapsht. Besoj se ata e kanë menduar mirë këtë hap se një dështim do ju kushtoj shumë jo vetëm drejtuesve kokave të partive kryesore por edhe partive respektive.