IBNA FORUM/ Plani për djegien e mandateve opozitare, si e shohin PS dhe PD

IBNA FORUM/ Plani për djegien e mandateve opozitare, si e shohin PS dhe PD

Në Shqipëri, Partia Demokratike shpalli sot (e diel) planin e saj për të djegur mandatet e deputetëve. Vendimi u deklarua nga kryetari Lulzim Basha dhe pak orë më vonë u përkrah dhe nga forcat e tjera aleate në opozitë.

Lidhur me këtë zhvillim të ri, flasin në këtë forum të Independent Balkan Neës Agency, deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda dhe ish deputeti i Partisë Socialiste, Elmaz Sherifi.

Kreu i PD, Lulzim Basha propozoi djegien e mandateve të deputetëve të kësaj partie. Si e shikoni këtë nismë?

ALBINA DEDA: Opozita dhe konkretisht kryetari Basha kanë konsumuar gjithë energjitë dhe mundësitë. Mirëpo kjo mazhorancë është totalisht e zhveshur nga ç’do lloj përgjegjësie politike e njerëzore dhe nuk premton as reflektimin më të vogël. Në këtë kontekst përgjegjës përpara shqiptareve, nuk ngeli rruge tjetër , veçse largimi nga Parlamenti i cili nga tempull i përçimit të fjalës e vullnetit të Sovranit është kthyer në çerdhe ku krimi dhe korrupsioni janë veshur me imunitet. E jo vetëm kaq por janë rikthyer pinjollët më të spikatur të diktaturës komuniste. Vetë qenia e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit flet vetë…

A e dëmton mazhorancën djegia e mandateve të opozitës?

ALBINA DEDA: Djegia e mandateve dhe hapja e diapazonit politik e human drejt popullit jo vetëm e dëmton por do ta detyrojë me doemos të shpallë zgjedhjet e reja dhe krijimin e qeverisë provizore e cila do garantojë lirinë e shenjtërinë e votës.

ELMAZ SHERIFI: Sigurisht që do e verë në pozita të vështira, pasi akuzat për përfshirjen në afera korruptive janë trajtuar edhe nga Zëri i Amerikës.

Nëse ndodh kjo, çfarë pasojash dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend?

ALBINA DEDA: Pas këtij akti të guximshëm politik opozita di të përfshihet në një aksion politik pa kthim i cili do përfundojë as më shumë e as më pak me largimin e mortajës politike e sociale me emrin Edi Rama. Opozita e sotme dhe kryesisht PD-ja ka lindur si misionare e lirisë e demokracisë dhe akti i sotëm e tregoi. Përpara interesave të shqiptarëve që rrezikohen pa kthim nga ky kryeministër që po bën sulltanin nuk ka gjë më të rëndësishme. Jam e sigurt se shqiptaret masivisht do ta lexojnë këtë veprim kurajoz e të vendosur të z.Basha dhe do të na bashkohen në betejën për demokraci dhe integrim.

ELMAZ SHERIFI: Është lëvizje që pritej, pasi Rama e sfidoi protestën me antimiting, nga Vlora e me diskurs tallës, si ka ndodhur pas marrëveshjes së majit 2017. Tani do kemi zhvillime të shpejta politike. Ndërkombëtarët jam i bindur që nuk do të thonë, se zgjedhjet për qeverisjen vendore do të zhvillohen edhe pa opozitën,ashtu si mund të inkurajohen edhe oponenca brenda PS e cila mund ti kërkoj Ramës të reflektoj me dorëheqje dhe socialistët të kompozojnë një qeveri të re.