Haradinaj: Tarifat ndaj mallrave serbe pengojnë ndarjen e Kosovës

Haradinaj: Tarifat ndaj mallrave serbe pengojnë ndarjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka rikthesuar se taksa ndaj produketeve serbe nuk do të pezullohet. Sipas ti, ky vendim po i pengon idetë për korrigjimin apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot, njëzet vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore”,tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia nëse çmimi për të është dhënia e territoreve.

“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtimi në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra tarifat 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje”,tha kryeministri Haradinaj.

Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, është hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”.

Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur kundërshtime në Kosovë ku ndër më të zëshmit është kryeministri Ramush Haradinaj./Ibna/