Gjonaj: Kosova duhet të sillet si vend i pavarur

Gjonaj: Kosova duhet të sillet si vend i pavarur

Anëtari i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, tha sot se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë dhe do të jenë gjithmonë të forta dhe asgjë nuk do të mund t’i dëmtojë ato.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po qëndron së bashku me një delegacion shqiptaro-amerikanë.

“Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të forta dhe gjithmonë do të jenë të forta dhe asgjë nuk do të mund të minojë marrëdhëniet që kemi dhe forcën tonë së bashku.”, tha Gjonaj.

Kosova, tha ai, është vend i pavarur dhe duhet të fillojë të mendojë në këtë mënyrë pavarësisht trysnive të ndryshme nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kosova është një vend i pavarur dhe duhet të fillojë të veprojë në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare dhe forcave të jashtme, duhet të luftojë për vetveten, të mendojë për vete dhe të paracaktojë të ardhmen e vet”, tha zoti Gjonaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për njerëzit e tyre në Amerikë.

Gjonaj dhe bashkëpunëtorët e tij po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë prej nga do të shkojnë edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Vizita përkon me një periudhë kur janë sfiduar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të refuzimit të Prishtinës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, me gjithë kërkesën amerikane.

Dy zyrtarë të lartë amerikanë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley, do të qëndrojnë të mërkurën në Prishtinë për të diskutuar këtë çështje me autoritetet e Kosovës. Më parë ata ishin në Beograd dhe ndonëse nuk kanë bërë komente, zyrtarët serbë thanë se çështja e tarifave dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi ishin në qendër të takimeve./ibna/