Dobësimi i euros, shqiptarët po i marrin mallrat më lirë nga jashtë

Dobësimi i euros, shqiptarët po i  marrin mallrat më lirë nga jashtë

Një euro më e lirë përballë lekut, nuk paska patur vetëm efekte negative për shqiptarët gjatë vitit të kaluar. Por edhe anët e saj pozitive në ekonomi. Njëra prej tyre është ajo e blerjes së mallrave nga jashtë, me çmime më të ulëta se më parë, kur euro ishte e fortë në tregun e këmbimit valutor. Dhe kjo pasi për t’i blerë ato, tregtarëve tanë u duhet që të nxjerrin më pak lekë nga xhepi i tyre. Ndërsa në tregun vendas ato shiten me të njëjtën sasi parash, e kësisoj, ata arrijnë të sigurojnë një normë më të lartë fitimi.

Një dukuri e tillë konfirmohet nga raporti i radhës së Institutit të Statistikave, INSTAT, sipas të cilit në fund të vitit të kaluar prodhimet nga jashtë erdhën në vendin tonë me çmime më të ulëta se më parë.

“Indeksi i Çmimeve të Importit u ul me nivelin prej -1.5% në tremujorin e katërt 2018 në krahasim me tremujorin e katërt 2017”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it. Ku uljen më të madhe, sipas tyre, e shënuan prodhimet e ardhura nga jashtë të gatshme. “Çmimet që i përkasin industrisë përpunuese, kanë shënuar ulje me -1.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Ku ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet prodhimeve ushqimore të përpunuara me nivelin prej -3.2%”, sqarojnë gjithashtu ekspertët. Ndërsa shtojnë nga ana tjetër se makinat dhe pajisjet e këmbimit, megjithë zhvlerësimin e euros në tregun e këmbimit të brendshëm valutor, kanë vijuar që të blihen me çmime të më larta nga jashtë drejt vendit tonë. “Çmimet e prodhimit të makinerive dhe pajisjeve” kanë shënuar një nivel rritës prej +4.7%”, kanë sqaruar më tej ekspertët. Nga ana tjetër, kujtojmë se dy ditë më parë, Instituti i Statistikave publikoi një raport në të cilin pranonte se edhe çmimet e prodhimeve vendase për eksport, “Made in Albania” kanë pësuar ulje gjatë fundvitit të kaluar.