David Hale kërkon vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

David Hale  kërkon vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, David Hale, ishte të shtunën në Prishtinë ku u takua me udhëheqësit e institucioneve të vendit.

Ndërsa një ditë më parë ai ishte në Beograd prej nga u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërpresin provokimet dhe të rihapin bisedimet.

Zyrtari i lartë amerikan gjatë këtyre takimeve ka theksuar se nuk u takon SHBA-të që të diktojnë procesin e bisedimeve dhe se ka mundësi që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje paqësore dhe historike mes dy vendeve.

ShBA-të kanë theksuar disa herë se, njohja e ndërsjell duhet të jetë në thelb të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës, pas takimit me dyer të mbyllura me Zëvendës sekretarin amerikan të shtetit, David Hale ka theksuar se është momentumi i përshtatshëm për të vazhduar dialogun me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes dy vendeve.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, presidenti kosovar ka theksuar se Kosova është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.

Edhe kryeministri i Kosovës e ka ftuar Serbinë që ti kthehet tryezës së bisedimeve.

“Në këtë takim me Zëvendës sekretari amerikan paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës së Dialogut dhe Ligjit.

E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, u shpreh Haradinaj.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut edhe nëse hiqet taksa.

” Është detyrë e tyre heqja e taksës e pastaj do ta shohim se a do të ketë dialog. Nëse këto janë kushtet për vazhdimin e dialogut më mirë mos të shpenzojmë kohë dhe para për udhëtim deri në Bruksel sepse dialogu në të cilin Serbia duhet ta pranojë pavarësinë, në të cilin do të formohet tribunali ad hoc për dënimin serbëve, ku Kosovës do ti jepen ambasadat, ikonat dhe pasuria kulturore është i pa mundur…A jeni mirë ju njetëz, çka po ndodhë me ju, a jeni sadopak racionalë” ka thënë Vuçiq duke iu drejtuar kosovarëve./Ibna/