DASH: Maqedonia e Veriut shënon përparim në media dhe gjyqësi

DASH: Maqedonia e Veriut shënon përparim në media dhe gjyqësi
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, ku janë dhënë vlerësime positive dhe negative në disa fusha.
Sipas raportit, korrupsioni mbetet një nga çështjet problematike në vend, derisa ka përparime në sferën e gjyqësorit dhe mediave.
Një vlerësim negativ është dhënë edhe për gjendjen e rëndë dhe johumane në burgjet e vendit, ku siç nënvizohet nuk është arritur implementimi i standarteve ndërkombëtare dhe plotësimi i kushteve për të burgosurit. Raporti citon Avokatin e Popullit që ka alarmuar shumë parregullësi dhe veprime të paligjshme ndaj të burgosurve.
Nota pozitive janë dhënë për gjykatat dhe qasjen ndaj tyre, ku janë evidentuar përparime dhe gjykime korrekte, por edhe pengesa që duhet evituar siç janë: pavarësia e kufizuar e gjyqësisë, politizimi i organit mbikëqyrës gjyqësor dhe financat e pamjaftueshme janë pengesë e mëtutjeshme për punën dhe efikasitetin e tyre.
Përparim është evidentuar edhe në sferën e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, por sërish ka nuanca të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve. “Ka disa raporte se Qeveria i ka detyruar gazetarët në autocenzurë. Komisioni Evropian, në raportin nga 17 prilli, vëren se nuk ka avancim në mbrojtjen e kushteve të punës të gazetarëve, si rezultat i asaj që ata ende praktikojnë autocenzurë”, thonë nga Departamenti amerikan në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit./IBNA