Ambasadori i BE kërkon që palët politike në Shqipëri të futen në dialogc

Ambasadori i BE kërkon që palët politike në Shqipëri të futen në dialogc

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, thotë se Brukseli është i shqetësuar për situatën e krijuar në vend, pasi opozita u largua nga Parlamenti duke dorëzuar të gjitha mandatet e deputetëve.

Z.Soreca tha se palët politike kanë të drejtë të ushtrojnë detyrat e tyre.

“Qeverisë i duhet të punojë për të përmbushur të gjitha detyrimet, përfshirë këtu edhe angazhimet për integrimin europian. Nga ana tjetër, edhe opozita ka të drejtën e saj të protestojë. Ne respektojmë çdo protestë, mjafton që ajo të jetë e paqtë dhe e qetë” tha Soreca.

Ai kërkoi që edhe protesta që pritet të zhvillohet sot para Parlamentit, po ashtu të jetë paqësore.

Z.Soreca njoftoi se BE po përpiqet që të fusë palët në dialog, ndaj nesër pritet të mbërrijë në Tiranë, një delegacion nga Komisioni Parlamentar Europian për Çështjet e Jashtme.

Europarlamentarët do të zhvillojnë takime me qeverinë, udhëheqësit e opozitës, por dhe shoqërinë civile. Ambasadori Soreca shpreson që nga këto takime të ketë sinjale pozitive. “Mendoj se roli i europarlamentarëve është i rëndësishëm. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në të shkuarën. Shpresoj se nga këto takime të dalin sinjale pozitive. Ata do të dëgjojnë të dyja palët dhe do të bëjnë një vlerësim i cili do t’i shtohet përmbledhjes së vlerësimeve për vendimin e qershorit”, tha ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca. /ibna/