Abuzimet me konkurrencën në treg, 6 gjoba dhe dyfish vendime në 2018-tën

Abuzimet me konkurrencën në treg, 6  gjoba dhe dyfish vendime në 2018-tën

Tregjet shqiptare vazhdojnë të paraqesin probleme me konkurrencën, ku në disa prej tyre vihen re shkelje të saj. Një dukuri e tillë konfirmohet nga drejtuesit e Autoritetit të Konkurrencës, në raportin vjetor që ata i kanë paraqitur Kuvendit. Sipas tyre, gjatë vitit 2018 u morën 87 vendime, ose dy herë më shumë se në vitin pararendës, 2017, ku janë përfshirë edhe ata të natyrës penalizuese. Gjë e cila tregon se ndër subjektet private ka ende probleme me respektimin e rregullave të konkurrencës. Në lidhje me to, AK-ja bën me dije madje se gjatë vitit të kaluar ka vendosur edhe 6 gjoba, të cilat janë ekzekutuar. Mësohet se ato janë vendosur ndaj kompanive të telefonisë celulare, apo dy kompanive që paraqitën probleme në tenderime, ndaj kompanisë që kryen kolaudimin e automjeteve, etj. Por cilat janë sektorët e ekonomisë në të cilat Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur dyshime për shkelje dhe abuzim me pozitat dominuese? Një i tillë është ai i prokurimeve publike, për të cilin gjatë vitit të kaluar AK-ja nisi hetimin mbi disa ndërmarrje.

“Pas vlerësimit të të gjithë dokumentacionit të administruar, u konstatuan shenja të kufizimit të konkurrencës përsa i përket sjelljes së ndërmarrjeve”, ka vlerësuar ky hetim, duke vënë edhe gjobat përkatëse. E duke vërtetuar sërish dukurinë se ende abuzohet me tenderat në Shqipëri dhe se mes tyre lidhen marrëveshje të ndaluara. Më tej, një tjetër treg ku Autoriteti i Konkurrencës ka ndeshur shkelje të ligjit, është edhe ai i tregut të telefonisë celulare, ku ka gjobitur edhe dy nga kompanitë e tij. “Konstatim i mospërmbushjes së detyrimeve të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës dhe shkelje e rëndë e konkurrencës”, kanë cituar ekspertët e AK-së, në argumentimin e gjobave të vendosura në këtë treg.